AQSHD

Historiku

Arkivi Qendror Shtetëror i Drejtësisë

Ruajmë dokumentet e drejtësisë, mbrojmë kujtesën institucionale të Shqipërisë.

Historia e arkivimit në fushën e drejtësisë është e lidhur ngushtë me zhvillimin e shtetit shqiptar. Që nga viti 1912, gjykatat, prokuroritë dhe institucionet juridike kanë krijuar një pasuri të rëndësishme dokumentare, e cila dëshmon zhvillimin juridik dhe institucional të vendit.

Një hap i rëndësishëm ishte krijimi i Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor, i cili nisi veprimtarinë në vitin 2016, duke sjellë për herë të parë një administrim të centralizuar dhe të specializuar të dokumenteve të drejtësisë.

Në vitet në vijim, arkivi konsolidoi veprimtarinë e tij, duke përfshirë edhe dokumentacionin hetimor të prokurorive, zhvilluar standardet e përpunimit arkivor dhe krijuar mekanizma të posaçëm për vlerësimin dhe ruajtjen e dokumenteve me vlerë të përhershme.

Nga arkivi gjyqësor te arkivi qendror i drejtësisë

Me ndryshimet e Ligjit nr. 9154 “Për Arkivat” në vitin 2024, institucioni mori statusin e Arkivit Qendror Shtetëror të Drejtësisë, duke zgjeruar përgjegjësitë e tij.

Sot, institucioni ruan, përpunon dhe administron dokumentet gjyqësore dhe hetimore-penale të të gjitha shkallëve të sistemit të drejtësisë, si dhe dokumentacionin e krijuar në kuadër të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Misioni ynë:

Arkivi Qendror Shtetëror i Drejtësisë kujdeset për:

  • Ruajtjen afatgjatë të dokumenteve me vlerë arkivore;
  • Përpunimin dhe administrimin profesional të fondeve;
  • Mbrojtjen e autenticitetit dhe integritetit të dokumentacionit;
  • Ofrimin e shërbimeve arkivore për institucionet dhe qytetarët;
  • Mbështetjen e kërkimit shkencor dhe historik;
  • Zbatimin e standardeve moderne në administrimin e trashëgimisë dokumentare.

Nga dokumentet e gjykatave të para të shtetit shqiptar deri te dosjet e institucioneve të sotme të drejtësisë, arkivi ruan jo vetëm dokumente, por edhe kujtesën e shtetit dhe të drejtësisë shqiptare.

Një arkiv i sigurt sot, është një histori e ruajtur për nesër.